Çfarë është LAMP stack?

Hyrje

LAMP stack është një set teknologjish të cilat së bashku përdoren për zhvillimin në web. Shërben si themeli i shumë faqeve dhe aplikacioneve web të përdorura sot.

Ky set është mjaft i përhapur dhe përdoret gjerësisht për zhvillimin e aplikacioneve.

  • Linux Logo
  • Apache Logo
  • MySQL Logo
  • PHP Logo

Komponentët

LAMP është një akronim për Linux, Apache, MySQL / MariaDB dhe PHP / Perl / Python. Me anë të këtyre programeve ndërtohen aplikacione web. Secili nga këta komponentë ka një funksion të veçantë:

  • Sistemi operativ Linux. Ky sistem operativ shërben si baza e LAMP stack. Linux është një sistem i sigurt dhe i besueshëm. Meqënëse është falas dhe open source, çdokush ka të drejtë të përshtasë kodin sipas kërkesave. Në krahasim me sisteme të tjerë operativë, nuk shfaq vonesa dhe është më pak i prekshëm nga viruset.
  • Serveri Apache. Apache hoston rreth 70% të të gjithë faqeve web në botë. Kërkesat HTTP për të hyrë në një faqe web, Apache i përpunon dhe më pas të çon tek ajo faqe. Apache server përmban një numër të madh modulesh, për këtë arsye mund të përshtatet më së miri me kërkesat specifike të aplikacioneve të ndryshme.
  • Baza e të dhënave MySQL / MariaDB. MySQL është një sistem për manaxhimin e databazave relacionale, i cili ruan dhe manaxhon të dhëna nëpërmjet gjuhës SQL. Për vite me radhë ka qenë sistemi më i përdorur nga një gamë e gjerë faqesh web. Është pa pagesë dhe ofron mjaft funksionalitete.
    MariaDB është një RDBMS më e re e cila mund të jetë pjesë e LAMP stack. Ajo mund të zëvendësojë me lehtësi MySQL pasi përputhen plotësisht me njëra tjetrën.
  • Gjuha e programimit PHP / Perl / Python. Gjuha e programimit nga ana e serverit përdoret për të ndërtuar faqe web dinamike ose aplikacione web. Të trija këto gjuhë janë general purpose, prandaj mund të përmbushin kërkesa të ndryshme programimi. Gjithashtu mund të lidhen dhe të komunikojnë me databazën.

Si funksionon

Apache merr kërkesën nga browser-i dhe fillon të kërkojë për atë file. Në varësi të llojit të kërkesës, serveri ndërmerr hapat në vijim.

a. Nëqoftëse vjen kërkesë për një file HTML

Sapo gjendet file i kërkuar, serveri e përpunon atë dhe të gjithë komponentet (faqet CSS, imazhe etj.). Rezultati final është një faqe HTML e cila përmban të gjithë informacionin që ka kërkuar përdoruesi. Serveri kthen faqen e kërkuar tek browser-i për ta shfaqur atë.

b. Nëqoftëse vjen kërkesë për një file PHP

Në këtë rast, gjuha e programimit mund të përdoret për të krijuar një faqe web dinamike me ndihmën e sistemit të databazës.

Apache ia kalon kërkesen gjuhës së programimit, e cila ekzekuton kodin që gjendet në të. Gjuha e programimit gjithashtu kërkon të dhëna nga baza e të dhënave nëqoftëse ajo specifikohet në kod. Me kodin dhe të dhënat e marra, ajo krijon faqen HTML të cilën duhet të shfaqë browser-i.

Serveri merr faqen e përfunduar dhe ia kthen si përgjigje browser-it.

Në rastin që faqja nuk ekziston, browser-i do të shfaqë një mesazh gabimi.

Avantazhet e LAMP stack

LAMP është shumë i përhapur në fushën e zhvillimit në web prej këtyre avantazheve:

  • Disponueshmëri: Mund të instalohet në platforma të ndryshme.
  • Software falas: Të gjithë komponentët e LAMP stack mund të përdoren pa pagesë.
  • Përshtatshmëri: Disa nga komponentët e LAMP përmbajnë module me funksionalitete shtesë, për të përmbushur nevoja të ndryshme të përdoruesëve. Një shembull i kësaj është organizimi modular i serverit Apache.
  • Mbështetje nga komuniteti: Katër elementet e këtij seti përdoren gjerësisht. Për këtë arsye, ka burime të pafundme informacioni mbi to. Për çdo pyetje apo problem, zgjidhja gjendet lehtësisht.
  • Siguri: Ka arkitekturë të sigurt dhe përmban enkriptime.

Variante të LAMP

Mund të përdoren komponentë të tjerë në varësi të nevojave specifike. Këto alternativa konsistojnë në kombinime të ndryshme të programeve si:

  • WAMP (Windows, Apache, MySQL, PHP / Perl / Python)
  • MAMP (MacOs, Apache, MySQL, PHP / Perl / Python)
  • LAPP (Linux, Apache, PostgreSQL, PHP / Perl / Python)
  • LEMP (Linux, NGINX, MySql / MariaDB, PHP / Perl / Python)
  • XAMP (Cross-platform, Apache, MySql / MariaDB, PHP / Perl / Python)

Përfundim

LAMP stack është një platformë që përdoret për zhvillimin në web, e cila përbëhet nga sistemi operativ Linux, web server-i Apache, sistemi i manaxhimit të databazës MySQL ose MariaDB dhe gjuha e programimit nga ana e server-it PHP / Python / Perl.

Përshtatet me lehtësi, prandaj mund të ndërtohet mbi bazën e sistemeve të tjerë operativë. Gjithashtu të gjithë komponentët mund të zëvendësohen me alternativa të tjera.

Regjistrohuni në newsletter

Do të merrni artikuj me interes për bizneset online dhe faqet e Internet-it.
Dërgohet një herë në muaj.