Avantazhet e aplikacioneve custom

Çfarë është një aplikacion custom

Custom do të thotë “diçka e projektuar posaçërisht për një person apo një qëllim të veçantë”. Për këtë arsye, aplikacionet custom janë ato që krijohen posaçërisht për të përmbushur nevoja të caktuara të biznesit ose për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të caktuara të tij.

Aplikacionet custom janë projekte më origjinale, me karakteristika më interesante dhe jetëgjatësi më të madhe. Nuk është aspak rastësi që pjesa më e madhe e platformave dhe shërbimeve të njohura në Internet sot janë të ndërtuara custom.

Matje me porosi

Avantazhet kryesore të apikacioneve custom

Aplikacionet custom ofrojnë më tepër avantazhe krahasuar me aplikacionet të bazuara në CMS-të e zakonshme. Më poshtë kemi renditur disa me interes të veçantë për biznesin:

Të ndërtuara bazuar në nevojat e biznesit

Aplikacionet custom kanë në thelb të tyre ofrimin e zgjidhjeve për nevojat e caktuara të biznesit. Pikërisht, për këtë arsye, aplikacionet e këtij lloji i mundësojnë biznesit të funksionojë sipas vizionit të tij, pa pasur nevojë që ky i fundit të përshtatet me kufizimet që ka një zgjidhje e zakonshme dhe e paracaktuar.

Gjithashtu, zhvillimi custom lejon një kontroll më të hollësishëm mbi projektin. Duke qenë se faqja e web-it shërben si pasqyrë për biznesin, një aplikacion i tillë mund të ndihmojë në pasqyrimin sa më të mirë të brand-it.

Siguri më e lartë

Duke qenë se një aplikacion custom ideohet dhe kodohet që nga fillimi, lejon lehtësisht zbatimin e çdo elementi sigurie, sado i avancuar qoftë ai.

Nga ana tjetër, CMS-të e zakonshme, që janë shumë të përhapura në Internet sot, orientohen drejt përdorimit në masë dhe lehtësisë së përdorimit. Për të arritur këto qëllime, ato "sakrifikojnë" sigurinë dhe perfomancën. Për më tepër, shtimi i elementeve më të avancuara të sigurisë mund të krijojë konflikte në vetë aplikacionin, për shkak të mënyrës sesi këto platforma janë krijuar.

Një faktor tjetër i rëndësishëm që lidhet me sigurinë e aplikacioneve të personalizuara është që kodi i tyre, i cili përveç se mbetet i fshehtë, përdoret vetëm nga aplikacioni specifik. Kjo i bën faqet dhe aplikacionet custom praktikisht imune ndaj sulmeve në masë që ndodhin në Internet, duke qenë se nuk janë shënjestër e tyre.

E kundërta ndodh me kodin e faqeve të bazuara në CMS. Kodi është publikisht I disponueshëm për këdo. Kjo ia bën më të lehtë sulmuesit që ta studiojë atë dhe të gjejë të meta, duke i lejuar atij të vendosë sulme automatike në masë. Gjithashtu, këto platforma sulmohen qëllimisht për shkak të përdorimit të tyre të gjerë. Shpeshherë, as vetë sulmuesit nuk janë në dijeni për ekzistencën e faqeve të Internet-it që po sulmojnë, sepse gjithçka është e automatizuar.

Performancë dhe shkallëzim më i mirë

Për shkak se CMS-të e përgjithshme dhe zgjidhje të tjera të tilla të bazuara në template kanë si qëllim përdorimin e gjerë, duhet të ofrojnë një numër të madh mundësish dhe komponentësh të gatshëm. Shumë nga këto kurrë nuk gjejnë përdorim në një projekt të caktuar, kështu që efekti i tyre i vetëm është ngadalësimi, mundësia e bug-eve dhe probleme të lidhura me çështje të sigurisë, për shkak të kodit të tyre të tepërt.

Këto lloj zgjidhjesh krijohen në përgjithësi për t'iu përshtatur nevojave të projekteve të vogla pa kërkesa të veçanta, dhe nuk vonon koha kur performanca e dobët të tyre del në pah, sapo projekti fillon të përdoret masivisht. Prandaj, ato nuk janë të përshtatshme për aplikacionet me performancë të lartë, pasi ajo që i ngadalëson zakonisht qëndron në thelb të sistemit të tyre.

Aplikacionet custom, nga ana tjetër, nuk kanë funksione të panevojshme, dhe për rrjedhojë as kod të tepërt. Kjo, jo vetëm që zvogëlon kohën e shkarkimit të faqes, por edhe ul gjasat e bug-eve dhe të metave në lidhje me sigurinë, duke përmirësuar kështu përvojën e klientit dhe rritjen e shitjeve.

Një aplikacion custom është gjithashtu më i lehtë për t'u modifikuar për t'iu përgjigjur kërkesave në lidhje me performancën.

Aftësia për t'u zgjeruar dhe integrimi me shërbimet e palëve të treta

Një aplikacion i krijuar nga fillimi është shumë më i lehtë për t'u zgjeruar dhe për t'i shtuar karakteristika të tjera, në përputhje me objektivat e reja të biznesit. Idetë ose shqetësimet në lidhje me funksionalitetin në të ardhmen mund të merren parasysh që në fillim.

Gjithashtu, është më i lehtë integrimi i shërbimeve të palëve të treta, siç është përpunimi i pagesave, pasi kodi mund të strukturohet posaçërisht për të lehtësuar këtë funksionalitet, jo vetëm me më pak gabime në kod, por edhe me më shumë kontroll dhe personalizim.

Kur përdoret një CMS e ndërtuar paraprakisht, zakonisht nevojitet më shumë përpjekje për të implementuar integrimet e palëve të treta. Ekzistojnë raste në të cilat integrimet janë të pamundura për t'u realizuar. Përdorimi i plugin-eve për të realizuar këto integrime mund të kërkojë përditësime të shpeshta, të cilat mund të shkaktojnë probleme me sigurinë ose performancën, për të mos përmendur faktin se një pjesë e plugin-eve mund të mos funksionojnë si duhet.

Lehtëson SEO-n

SEO është një aspekt i rëndësishëm për faqet e Internet-it dhe platformat online, të cilat kanë nevojë për rezultat kërkimi dhe dukshmëri më të mirë krahasuar me konkurrentët e tyre.

Një faqe custom lehtëson SEO-n dhe lejon përditësime më të shpejta në përgjigje të ndryshimeve të algoritmeve të motorëve të kërkimit.

Funksionet e avancuara të marketing-ut dixhital, si ndjekja e sjelljes dhe lëvizjeve të përdoruesit, mund të zbatohen lehtësisht, duke mundësuar të dhëna të vlefshme se si vizitorët e përdorin faqen.

Si të gjejmë kompaninë e duhur

Duke qenë se aplikacionet custom priren të jenë afatgjata, është një ide e mirë të të bashkëpunohet me një kompani dhe jo me një freelancer të vetëm. Kompanitë përgjithësisht punojnë me më shumë se një programues, kështu që kjo do të ofrojë njëfarë sigurie në lidhje me ekspertizën që nevojitet, zhillimin e mëtejshëm dhe mbështetjen teknike.

Është gjithashtu ide e mirë të zgjidhet një kompani që kupton mirë projektin dhe qëlimet e tij. Kjo do t'i ndihmojnë të krijojnë një aplikacion që përputhet me vizionin e biznesit.

Në përzgjedhjen e kompanisë së duhur, duhet marrë në konsideratë nëse kompania ka përvojë në krijimin e aplikacioneve të personalizuara. Ndërsa shumë kompani pretendojnë se zhvillojnë aplikacione custom, jo të gjitha kanë aftësi për t'i realizuar.

Në shumë raste, ajo çka mendohet si "custom" është gjithçka që është modifikuar, duke përfshirë këtu dhe një template web-i të ndryshuar. Nëse zhvilluesit e kompanisë nuk kanë përvojën apo kualifikimet e duhura për të kryer projekte custom, aplikacioni përfundimtar mund të mos arrijë pritshmëritë e projektit.

Përfundim

Një aplikacion custom në web është zgjidhja më e mirë për ato biznese të cilat kërkojnë një zgjidhje cilësore, afatgjatë dhe që do t'u përshtatet plotësisht kërkesave të tyre.

Qëndrueshmëria në periudhë afatgjatë, siguria dhe performanca e lartë, aftësia për të përfshirë funksionalitete komplekse dhe potenciali i rritjes janë vetëm disa prej avantazheve të shumta të aplikacioneve custom në Internet.

Përmes një faqeje web-i ose një aplikacioni custom, një biznes mund të përqendrohet në përmirësimin e tij, dhe të jetë i qetë në lidhje me manaxhimin e aseteve të tij në Internet.

Regjistrohuni në newsletter

Do të merrni artikuj me interes për bizneset online dhe faqet e Internet-it.
Dërgohet një herë në muaj.