Si të planifikoni një biznes online
Çfarë është një plan biznesi?
Një plan biznesi është një dokument që përshkruan biznesin në tërësi, produktet ose shërbimet e tij dhe sesi fiton (ose do të fitojë) të ardhurat. Ai përfshin strategji për rritjen e biznesit apo veprimtarisë në treg, afatet kohore të parashikuara dhe qëllimet financiare.
Përmes këtij plani, rriten mundësitë e suksesit të kompanisë dhe ulen rrisqet. Ai sjell qartësi gjatë procesit të vendimmarrjes në lidhje me aspektet kryesore të biznesit si investimet kapitale, pozicionimi i kompanisë në treg, objektivat, shpenzimet etj. Në thelb, plani i biznesit është korniza e sipërmarrjes tuaj.
Plani i biznesit i shërben gjithë kompanive, por sidomos atyre që:
- Janë në hapat e parë të biznesit
- Kërkojnë investitorë apo bashkëpunëtorë
- Duan të zgjerojnë biznesin e tyre
Përse ju duhet një plan biznesi?
Plani i biznesit është një ndër dokumentet më të rëndësishme që do të realizoni për sipërmarrjen tuaj. Më poshtë kemi renditur disa nga përfitimet tij kryesore:
Qartëson më mirë biznesin tuaj
Kur shkruani një plan biznesi, ju qartësoni më shumë idetë tuaja. Prandaj, teksa ndërtoni planin, do të jeni në gjendje t'i përgjigjeni pyetjeve si: Çfarë produktesh dhe shërbimesh do të ofroni? Cilët do të jenë klientët tuaj ideal? Ku do të punoni dhe si do të punoni? Nëse keni ide të shumta, ky plan mund t'ju ndihmojë t'i përzgjidhni ato dhe të qartësoni vendimet që do të merrni.
Identifikon kapitalin e nevojshëm
Të gjithë sipërmarrësit kanë nevojë të investojnë kapital në kompaninë e tyre. Plani i biznesit ju ndihmon të përcaktoni ekzaktësisht çfarë duhet investuar, dhe si.
Krijon një imazh të së ardhmes
Në këtë dokument ju do të përshkruani strategjitë e zgjerimit të biznesit, qëllimet e tij dhe ambiciet për të ardhmen. Kështu do të qartësoni se ku doni të arrini, dhe çfarë sfidash do duhet të kaloni, për të arritur rezultatet e dëshiruara.
Ndihmon në partneritete dhe bashkëpunime
Kur shkruani një plan biznesi, do të kuptoni nëse keni apo jo nevojë për partnerë biznesi apo bashkëpunime me kompani të tjera që plotësojnë tuajën. Duke patur një pasqyrë të qartë të vizionit tuaj, audiencës dhe strategjisë së marketingut, bashkëpunëtorët potencialë do ta kenë më të lehtë t’ju identifikojnë.
Çfarë përfshin një plan biznesi
Plani i biznesit mund të përmbajë një numër të madh komponentësh, të cilët mund t'i përfshini ose jo, në varësi të biznesit tuaj. Disa nga komponentët kryesorë të tij janë:
Përmbledhja ekzekutive
Shërben si hyrje dhe përshkruan biznesin tuaj në vija të përgjithshme. Përmbledhja ekzekutive përfshin arsyen e ekzistencës së kompanisë suaj, problemin që zgjidh, tregun që synon, pritshmëritë dhe pikat kryesore financiare.
Përshkrimi i kompanisë
Kjo pjesë e planit të biznesit duhet t'i përgjigjet dy pyetjeve themelore: kush jeni dhe çfarë planifikoni të bëni? Përgjigjja e këtyre pyetjeve sqaron se përse jeni në treg, çfarë ju veçon nga kompanitë e tjera, dhe cilat janë misioni, vizioni dhe vlerat tuaja.
Pronësia dhe manaxhimi
Në këtë pjesë përcaktohet struktura ligjore e kompanisë, dhe si është e ndarë pronësia. Gijthashtu, mund të keni edhe një grafik me hierarkinë e stafit manaxherial, burimeve njerëzore dhe punonjësve të tjerë. Për secilin punonjës, do të përshkruhen aftësitë, përvoja dhe detyrat e tyre në kompani.
Nëse keni biznes online, mund të përfshini edhe punonjës ose ekspertë të jashtëm nga vendndodhje të ndryshme.
Analiza e tregut
Përmes saj do të arrini të përcaktoni njohuritë që keni fituar në lidhje me industrinë tuaj, dhe pozicionin tuaj në treg. Do të kuptoni se cilët janë konkurrentët tuaj. dhe si pozicionohen produktet tuaja në krahasim me ta. Këto informacione do t'i përdorni për t’u dalluar nga ta.
Analiza SWOT
Strengths (pikat e forta)
Weaknesses (pikat e dobëta)
Opportunities (mundësitë)
Threats (rreziqet)
Analiza SWOT ju ndihmon të krijoni një imazh realist për biznesin tuaj dhe pozicionin që mbani në tregun ku veproni. Përmes saj, do të përcaktoni se çfarë bëni më mirë se konkurrentët tuaj dhe çfarë duhet të përmirësoni.
Nëse konkurentët tuaj janë biznese që veprojnë online, studimi i konkurencës është akoma më i thjeshtë.
Produktet dhe shërbimet
Produktet dhe shërbimet tuaja do të përmenden edhe në fusha të tjera të planit tuaj të biznesit, por është e rëndësishme t'i lini atyre një hapësirë ku përshkruhen detajet e tyre kryesore dhe mënyra se si planifikoni t’i tregtoni ato.
Logjistika dhe veprimtaria në treg
Nëse jeni një biznes që shet produkte, është e rëndësishme që të përcaktoni detaje si prodhimi, furnizimi apo magazinimi i tyre. Gjithashtu, mund të krijoni një strukturë inventari për çmimet që kanë produktet tuaja dhe kostot totale të veprimtarisë në treg.
Plani operacional
Plani operacional përfshin detyrat e përditshme që duhet të përmbushë secili punonjës për të arritur objektivat e biznesit, si dhe afatet kohore. Nëse shisni produkte online, shtoni edhe informacione për transportimin e tyre.
Plani i marketingut
Shpjegoni se si planifikoni të reklamoni produktin tuaj në treg. Përcaktoni se çfarë mënyrash dhe mjetesh do të përdorni për të arritur klientët që synoni. Çfarëdo që të jenë planet tuaja të marketingut, mund t’i përshkruani ato këtu.
Bizneset që operojnë online, mund të shfrytëzojnë shumë mirë marketingun dixhital si pjesë e strategjisë së tyre të marketingut.
Plani financiar
Plani financiar përcakton situatën aktuale dhe qëllimet afatgjata monetare, si dhe strategjinë për të arritur këto synime.
Këtu do të përshkruani planet tuaja financiare duke iu përgjigjur pyetjeve si:
- Cili do të jetë burimi i parave që po investoni?
- Cilat asete që keni në pronësi, mund t’i përdorni për biznesin?
- Çfarë volumi shitjesh do t'i duhen biznesit tuaj në mënyrë që të jetë fitimprurës?
- Sa kohë mund të mbijetoni në treg pa të ardhura nga shitjet?
- Sa parashikoni të jenë shpenzimet dhe fitimet mujore dhe vjetore të biznesit tuaj?
Në këtë hapësirë vendosen edhe projeksionet financiare për 2-3 vitet e ardhshme.
Plani i largimit
Ky është plani strategjik i sipërmarrësit për të shitur pronësinë e tij tek investitorët ose një kompani tjetër. Një plan largimi (exit plan) i jep pronarit të biznesit një mënyrë për të zvogëluar ose likuiduar aksionet e tij tek investitorët. Nëse biznesi është i suksesshëm, sipërmarrësi mund të ketë një fitim të konsiderueshëm.
Është e këshillueshme që nëse keni plan të kërkoni investitorë, të keni gjithmonë një plan largimi, pasi investitorët do duan të jenë të qartë për kushtet dhe mënyrën e largimit të themeluesve nga kompania.
Legjislacioni
Për drejtimin e sipërmarrjes do t'ju duhet të njiheni me legjislacionin dhe çështjet juridike në fushën e veprimtarisë që ushtroni. Një ide e mirë është të përmendni në planin e biznesit edhe disa nga ligjet që ju prekin dhe si ndikojnë ato tek ju, si për shembull:
- Ligjet për shitjet online, nëse keni një dyqan e-commerce
- Taksat dhe tatimet
- Ligjet e punësimit
- Ligjet e financës dhe marketingut
- Ligjet e privatësisë
- Ligjet e kujdesit shëndetësor, etj.
Këshilla paraprake për krijimin e një plani biznesi
Ka disa gjëra që mund të bëni në mënyrë që të ndërtoni një plan biznesi të mirëstrukturuar.
Përcaktoni përse po e ndërtoni planin - Plani i biznesit duhet të jetë më i detajuar dhe i strukturuar nëse qëllimi është të siguroni fonde për sipërmarrjen tuaj. Në të kundërt, nëse po e ndërtoni atë për veten tuaj apo për stafin, ai mund të ketë një strukturë më të thjeshtë.
Bëni kërkime të tërthorta - Plani i biznesit do të ndërtohet kryesisht mbi idetë dhe vizionin tuaj, megjithatë, vetëm kaq nuk mjafton. Për informacionet më të rëndësishme, duhet të bëni kërkime më të thella dhe të shfrytëzoni burime të ndryshme.
Shmangni përmbajtjet e panevojshme - Pavarësisht se për kë po e shkruani, plani i biznesit duhet të jetë i strukturuar dhe i kuptueshëm, pa përmbajtje apo informacione të panevojshme. Nëse keni dokumente shtesë që mendoni se mund të jenë të vlefshme, mund t'ia bashkëngjisni ato dokumentit përfundimtar.
Shmangni terminologjinë teknike - Shumë aspekte jetike për mbarëvajtjen e një biznesi online mund të mos jenë të kuptueshme nga persona jo-teknikë, banka ose investitorët. Përpiquni t’i shpjegoni ato në gjuhë sa më të thjeshtë.
Rishikoni planin - Pasi të keni përfunduar shkrimin e planit tuaj të biznesit, mos anashkaloni rishikimin dhe redaktimin e tij. Sigurohuni që i gjithë dokumenti të ketë një rrjedhë logjike, dhe stili i përdorur të jetë i qëndrueshëm dhe objektiv. Duhet të kontrolloni për gabime që mund të jenë bërë gjatë shkrimit të planit, dhe të shtoni apo të hiqni informacionet sipas rastit, në mënyrë që dokumenti përfundimtar të jetë i kënaqshëm.
Përmbledhje
Plani i biznesit përbëhet nga disa komponentë, të cilët mund të përzgjidhen në bazë të nevojave dhe qëllimeve tuaja në lidhje me sipërmarrjen në fjalë.
Plani i biznesit është veçanërisht i rëndësishëm në rast se kërkoni investim në biznes nga palë të treta, por në çdo rast ai gjithsesi ju ndihmon të kuptoni më mirë sipërmarrjen tuaj dhe t'i jepni asaj drejtim.