Karriera e një Testuese Softueri te Ketri Web - Intervistë

Intervistë me Artën

Në këtë intervistë Artën, testuese softueri në kompaninë tonë, ajo ndan përvojën e saj si testuese tek Ketri Web, si u njoh me ne, dhe përvojën e saj e punësimit në kompaninë tonë. Ajo gjithashtu na përshkruan mjedisin e punës, avantazhet e punës së saj si testuese, si dhe ndikimin e Ketri Web në zhvillimin e karrierës së saj. Lexoni intervistën për të mësuar më shumë rreth kësaj historie të frymëzuese.

Arta duke punuar në tavolinën e saj

Si arrite të kesh një karrierë si testuese e softuerit? Çfarë të frymëzon për të punuar në këtë fushë?

Është interesante se si unë përfundova në fushën e software testing në fakt. Unë kam punuar për shumë vite në ecommerce dhe puna e tillë më vuri në kontakt me klientët, me raportime mbi përshtypjet e tyre mbi veçori të ndryshme për brandet online që menaxhoheshin aty. Duke qenë në pozitë të tillë unë fillova ta shihja me shumë interes pjesën e të qënurit personi që jo vetëm raporton por dhe identiifkon çfarë ndonjëherë nuk shkonte mirë. Nxitur nga kjo, unë më pas vendosa të konsideroj një karrierë më ndryshe, doja të kuptoja potencialin tim në këtë drejtim, bisedova me persona të kësaj fushe që të krijoja një përshtypje të përgjithshme. Fillova si çdo person pa njohuri mbi një karrierë të re të shihja disa video në YouTube. Nga aty më pas fillova të ndiqja dhe kurse online në një platformë të quajtur Pluralsight derisa vendosa dhe u regjistrova në një kurs në këtë drejtim. Duke kuptuar rëndësinë që doja unë t’i jepja këtij drejtimi të ri, vendosa të dedikohem plotësisht këtu duke u shkëputur dhe nga puna e mëparshme dhe duke kërkuar menjëherë pas kursit një mundësi punësimi ose dhe internshipi, duke marrë parasysh që vija nga nje arsimim shumë ndryshe me këtë karrierë dhe deri diku do kisha më shumë vështirësi dhe më shumë punë për të bërë.

Si u njohe me Ketri Web dhe përse vendose të aplikoje për këtë pozicion pune tek ne?

Unë nuk kisha dëgjuar më përpara për kompaninë e Ketri Web derisa unë një ditë fillova të bëj kërkime në internet mbi të gjitha kompanitë në fushën e IT që operojnë në Tiranë. Këtë e bëra si pjesë e procesit tim për të gjetur një punësim apo internship pranë një kompanie. Ishte vërtetë sfiduese e gati gati demotivues si proces dhe duhet të pranoj që rreth 30+ kompani nuk më dhanë asnjë lloj feedback-u. Ketri Web, nga ana tjetër, më kontaktoi besoj diku te 2-3 ditë pas aplikimit tim (madje nuk kishin asnjë pozicion të hapur për testues) dhe u surprizova shumë, sidomos pasi më erdhi një përgjigje për një intervistë pas një heshtjeje të gjatë apo përgjigjesh “Me keqardhje ju informojmë..”.

Na përshkruaj pak ditën e parë të punës tek Ketri Web.

Pasi bërë një intervistë mjaft të këndshme këtu me drejtorin ekzekutiv, Leandron, dhe u pranova, ditën e parë në zyrë u njoha dhe me Evën, menaxherja e zyrave e cila më tregoi mjediset e punës, më prezantoi me kolegët e tjerë, madje më mësoi dhe si të bëja kafe dhe ku të gjeja çdo gjë për përgatitjen e saj. Në vijim u prezantova dhe me zyrën ku do vendosesha unë, tavolinën time dhe sigurisht më pas dhe me punën. Dita e parë ishte shumë e qetë, u njoha me disa nga projektet e zhvilluara në kompani, me dokumentacionin përkatës, me platformat që përdornin dhe fillova të bëja bazat e një dokumenti për testim tek i cili unë do tregoja njohuritë e mia dhe këndvështrimin tim për testimin. Gjithashtu bëra mbledhjen e parë nga shumë e shumë mbledhje që do vinin në vazhdim e cila shkoi shumë mirë.

Si do ta përshkruash mjedisin e punës në kompaninë tonë? Çfarë të bën të ndihesh e kënaqur duke punuar këtu?

Mjedisi është gjithnjë i qetë këtu te Ketri Web. Ndihem e kënaqur sepse ka komunikim. Për mua komunikimi është thelbësor për ndërtimin e marrëdhënieve jo vetëm korrekte, por dhe për të qenë gjithmonë i informuar dhe i kuptuar mbi punën që bën, mbi pritshmëritë, mbi ecurinë në vijim.

Cilat janë disa nga avantazhet kryesore që ke vënë re në punën tënde si testuese në kompaninë tonë?

Mendoj që dhe nga ana e kompanisë është deri diku një risk që merret përsipër kur punëson dikë pa eksperiencë në këtë fushë, siç isha dhe unë kur u bashkova. Për mua, nga ana tjetër, është patjetër përgjegjësi për të shpërblyer besimin që më është dhënë. Duke thënë këtë, mendoj avantazh mund të quhet dhe mundësia që unë të mësoj praktikisht ato që kisha parë vetëm teorikisht para se të filloja punë këtu. Më tej, avantazh është dhe të shkathtësohem duke punuar në disa projekte të ndryshëm, ku te secili ti përballesh padyshim me sfida të reja, me veçori të reja që duhen testuar, nxitesh të bësh një testim gjithnjë e më shumë gjithëpërfshirës dhe në këtë formë ti rritesh dhe zhvillohesh profesionalisht. Jo vetëm kaq, por këtu kam pasur mundësi të përfshihem jo vetëm në tesim, por të mësoj nga pak dhe nga fusha të tjera.

Cilat janë disa nga aftësitë profesionale që ke zhvilluar gjatë punës tek Ketri Web?

Përdorimi i tools si për raportimin e difekteve por dhe tools për identifikimin e tyre siç janë ato për automatizim të proceseve. Gjithashtu shkrimi i detyrave por dhe defekteve duke përfshirë hapat e ndjekur, provat, rezultatet e pritshme, aktuale. E fundit do ishte komunikimi dhe bashkëpunimi ku patjetër çdo eksperiencë e re është një mundësi e re për të përmirësuar dhe zhvilluar ende më tej këto aftësi kaq të nevojshme në çdo mjedis pune.

Cili është ndikimi i kompanisë sonë në zhvillimin e karrierës tënde në fushën e testimit? A mendon se po përfiton rritje dhe avancimi profesional?

Mendoj për mua ka qenë një pikënisje shumë e mbarë. Unë jam ndjerë e vlerësuar, e dëgjuar dhe këto ndjesi më kanë ndihmuar të jap sa më mirë kontributin tim. Përpjekja ime është vënë re gjithmone dhe kështu i gjithë procesi ka ndihmuar e ka nxitur zhvillimin tim si testuese. Unë besoj që çdo ditë ka pasur diçka të re që unë kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj dhe jam mirënjohëse për këtë.

Si e përshkruan kulturën e kompanisë dhe marrëdhëniet me kolegët?

Marrëdhëniet me kolegët janë korrekte, ka respekt reciprok dhe ka komunikim të mirë. Në fillimet e mia të kësaj karriere, e kam menduar pjesën që për zhvilluesit testuesit mund të duken si armiq deri diku pasi i tillë më ishte sjellë dhe mentaliteti i zhvilluesit që mendon që çdo gjë funksionon mirë dhe mentaliteti i testuesit që asgjë nuk funksionon mirë e këtu ndodh përplasja. Por në realitet nuk ka qenë kështu pasi unë kam gjetur këtu zhvillues të komunikueshëm, të hapur për të diskutuar, për të reflektuar dhe për të bërë në fund një punë sa më të kënaqshme së bashku. Unë e dua punën në grup, i dua shumë idetë e ndryshme dhe në fund bashkimin e tyre, ose më mirë, fiks siç e ka thënë dhe autori amerikan Maxwell: Bashkëpunimi i bën ëndrrat realitet (Teamwork makes the dream work).

Çfarë të pëlqen më shumë nga puna që bën tek Ketri Web?

Më pëlqen liria për të bërë atë gjë tek e cila ti jep më shumë nga vetja. Mendoj një liri e tillë e lejon secilin punonjës të japë shumë nga potenciali i tij. Kjo formë e lirisë duhet të jetë inkurajim dhe motivim për të punuar më fort.

Çfarë do i thoje një kandidati të ri që ka dëshirë të jetë pjesë e Ketri Web?

Unë do i thoja që këtu ti do gjesh pak njerëz por shumë mbështetje; do kesh punë sa të duash për të bërë por dhe kohën e nevojshme për t’i bërë të gjitha mirë; do gjesh harmoni dhe sinergji. Nëse ti që po e lexon këtë po kërkon një vend për të mësuar e për tu rritur shumë, e veçanërisht nëse je në hapat e parë të karrierës, këtu do kesh mundësi të mësosh pa limit.

Dëshiron të bëhesh pjesë e ekipit të Ketri Web?

Jemi gjithmonë në kërkim të kolegëve të rinj! Për të mësuar më shumë për pozicionet e lira momentalisht në Ketri Web, vizitoni faqen tonë të karrierës dhe aplikoni për pozicionin që ju intereson. Ne presim me padurim të njohim talentin tuaj dhe të ndajmë së bashku një udhëtim të suksesshëm në fushën e teknologjisë.

ketri.al/karriera

Regjistrohuni në newsletter

Do të merrni shkrime me interes për bizneset online dhe faqet e internet-it.

Zarf me mesazhin që dërgohet