Cilat janë kostot e përfshira kur keni një faqe interneti?

Cila është kosto e pronësisë së një faqeje interneti?

Kosto e pronësisë së një faqeje interneti është kosto totale e parave të paguara për të, gjatë tërë jetëgjatësisë së saj. Kjo përfshin çmimin fillestar të blerjes, dhe të gjitha kostot operacionale.

Shumë njerëz e mendojnë një faqe interneti si një njësi të vetme. Në të vërtetë, një faqe interneti është kombinim i shumë shërbimeve më të vogla, dhe secili prej tyre faturohet më vete.

Zhvillimi fillestar i faqes përfshin jo vetëm dizajnin dhe programimin e saj, por edhe shërbime si brandimi, shkrimi i përmbajtjes, dizajni grafik dhe optimizimi për motorët e kërkimit (SEO).

Për ta publikuar në internet do t'ju duhet një domain dhe një llogari hostimi. Mirëmbajtja e vazhdueshme do të nevojitet për të siguruar që faqja është e përditësuar dhe funksionon normalisht. Promovimi i faqes do të ndihmojë në rritjen e vizitave dhe gjenerimin e klientëve të mundshëm.

Në varësi të synimeve të biznesit tuaj, mund të doni t'u jepni përparësi disa prej këtyre shërbimeve, prandaj është e rëndësishme të merrni parasysh të gjitha kostot e tyre kur të planifikoni buxhetin.

Në këtë artikull ju shpjegojmë kostot e shërbimeve më të zakonshme, të cilat përfshihen në krijimin dhe funksionimin e përditshëm të një website-i të suksesshëm.

Zhvillimi i faqes së internetit

Zhvillimi i një faqeje interneti mund të përfshijë disa faza, në varësi të tipit dhe kompleksitetit të saj. Fazat kryesore janë:

  • Planifikimi - Në këtë hap të parë, manaxherët e projektit studiojnë brief-in e projektit dhe specifikimet teknike, si dhe bëjnë kërkime rreth audiencës së synuar, konkurrentëve, etj. Më pas, ata planifikojnë faqen, bazuar në të dhënat e mbledhura.
  • Dizajni - Gjatë kësaj faze, dizenjuesit e faqes ndërtojnë skicat e para (wireframes), dhe më pas ndërfaqet e plota, të cilat do të mundësojnë realizimin e objektivave, krijimin e një eksperience të mirë për përdoruesit dhe përfaqësimin me besnikëri të brandit të kompanisë.
  • Programimi - Zhvilluesit e web-it ndërtojnë faqen, bazuar në funksionalitetet dhe dizajnin e planifikuar. Kur zhvillimi i faqes përfundon, ajo testohet dhe vendoset në server.

Faqet komplekse, si për shembull aplikacionet e web-it, zakonisht kërkojnë investime më të mëdha, prandaj kanë nevojë për planifikim më të mirë, dhe kalojnë më tepër faza zhvillimi.

Faqe më të vogla, si për shembull website-et broshurë, janë më pak të ndërlikuara, dhe për këtë arsye mund të kalojnë një proces më të thjeshtuar dhe ekonomik.

Emri i domain-it

Emri i domain-it është adresa e faqes suaj në internet. Këto adresa janë unike dhe mund të blihen nga regjistruesit e domain-eve.

Emrat e domain-eve mund të blihen për një ose më shumë vite, dhe duhet të rinovohen kur abonimi i tyre skadon, përndryshe bëhen të disponueshëm për dikë tjetër. Në këtë kuptim, domain-et mund të mendohen si të marra me qera.

Prapashtesa e emrit të domain-it, për shembull .com ose .al, quhet TLD, dhe ndikon në çmimin e tij. Për shembull, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, një domain .com kushton rreth $10/vit, ndërsa një domain .new kushton rreth $500/vit!

Hostimi

Hostimi është shërbimi, i cili e bën faqen e web-it të aksesueshme në internet. Një llogari hostimi ju jep vend në server, ku mund të vendosni faqen tuaj. Pasi të keni vendosur faqen në server, konfiguroni domain-in tuaj që të lidhet me të, dhe kur njerëzit vizitojnë adresën e domain-in tuaj, i shfaqet faqja.

Shërbimet e hostimit normalisht paguhen çdo muaj, por mund të ketë ulje për abonime afatgjata. Çmimet varen nga kompania, tipi i hostimit, dhe specifikimet e server-it.

Faqja e një biznesi të vogël me pak trafik, nuk do të kërkojë shpenzime të mëdha për hostim. Ndërkohë, një faqe e famshme dhe shumë e vizituar, me shumë gjasë do të ketë hostimin si shpenzimin operacional kryesor të e saj.

Mirëmbajtja e faqes

Mirëmbajtja e faqes i referohet detyrave, të cilat duhet të kryhen në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që faqja juaj të punojë në mënyrën e duhur dhe të jetë e përditësuar.

Mund të përfshijë një gamë të gjerë dhe të larmishme detyrash si përditësime të kodit dhe përmbajtjes, mbështetje teknike, mbikëqyrje të sigurisë, konfigurim të serverit dhe manaxhimin e backup-eve.

Kostot e mirëmbajtjes varen nga përmasat dhe kompleksiteti i faqes suaj të internetit, dhe zakonisht faturohen në bazë mujore ose vjetore.

Brandimi

Brand-i juaj shpreh misionin dhe vlerat e kompanisë suaj, dhe ju dallon nga konkurrentët. Faqja e kompanisë suaj duhet të përfaqësojë besnikërisht brand-in e saj.

Në varësi të biznesit që keni dhe kufizimeve buxhetore, mund të zgjidhni të krijoni vetëm elementët themelor të brand-it, si logo, font-et dhe ngjyrat, ose të krijoni një dokument të plotë të identitetit të brand-it, i cili do të përfshijë gjithashtu elementë si personaliteti i brand-it, toni i zërit, rregullat e shkrimit, specifikat e imazheve, etj.

Brandimi ka të bëjë kryesisht me krijimtarinë, dhe ndoshta më shumë se nga çdo gjë tjetër në këtë listë, kosto e tij varet nga aftësitë dhe përvoja e personit, i cili po punon për të.

Shkrimi i përmbajtjes

Herë pas here do t'ju duhet të krijoni përmbajtje të re për faqen tuaj. Një përmbajtje e shkruar mirë komunikon mesazhin tuaj në mënyrë të qartë, bind klientët potencialë dhe përfaqëson denjësisht biznesin tuaj.

Ju jeni personi ideal për të krijuar këtë përmbajtje, por shkrimi i mirë i teksteve kërkon kohë, dhe mund t'ju shkëpusë nga detyra më e rëndësishme e drejtimit të biznesit tuaj.

Një profesionist në shkrimin e teksteve, mund t'ju ndihmojë të krijoni përmbajtje të veçantë për biznesin tuaj, duke përdorur gjuhë bindëse për të tërhequr vëmendjen e audiencës suaj.

Shkrimi i përmbajtjes zakonisht faturohet për fjalë, dhe çmimet varen nga fusha specifike për të cilën po shkruhet.

Imazhet dhe grafikat

Ju duhet të keni të drejtë të përdorni çdo imazh apo grafikë që shfaqet në faqen tuaj! Nëse nuk keni imazhet tuaja, mund të përdorni imazhe që ofrohen falas me të drejta të plota përdorimi, ose të blini imazhe profesionale. Në çdo rast duhet të keni licensë për përdorimin e tyre.

Nëse imazhet kanë nevojë për t'u modifikuar, kjo mund të sjellë kosto shtesë. Grafikat e krijuara specifikisht për ju nga një dizenjues, do të sjellin një kosto gjithashtu.

Këto mund të jenë kosto domethënëse për faqe të cilat përdorin shumë imazhe, prandaj është e rëndësishme të gjehet një burim me kosto efikase për to. Imazhet profesionale zakonisht shiten me kosto për imazh, ose nëpërmjet abonimeve mujore apo vjetore, të cilat ju lejojnë t'i shkarkoni me shumicë.

Optimizimi për motorët e kërkimit (SEO)

SEO është një set praktikash që zbatohen në një website, për ta ndihmuar atë të renditet më lartë në rezulatet e kërkimit.

Kur një person përdor një motor kërkimi, ai është duke kërkuar për informacion në mënyrë aktive. Është e qartë që nëse ata kërkojnë për produktin që ofroni, dhe faqja juaj shfaqet në rezulatet e para të kërkimit, ky është një sukses i madh për biznesin tuaj!

Një profesionist i SEO-s mund t'ju ndihmojë të arrini një pozicion më të mirë renditjeje në rezultatet e kërkimit, dhe si rrjedhojë, të zgjeroni bazën e klientëve dhe të shisni më tepër produkte.

SEO është një proces i vazhdueshëm, dhe zakonisht faturohet në bazë mujore ose vjetore. Rezultatet mund të vijnë pas një kohe të caktuar, dhe për më tepër, nuk janë të garantuara. Pavarësisht kësaj, ia vlen të konsiderohet për shkak të potencialit të tij domethënës.

Reklamimi

Një strategji marketingu efikase është thelbësore që një biznes të jetë i suksesshëm. Faqja juaj e internetit do të jetë një nga pikat kryesore të kësaj përpjekje, prandaj mund të caktoni një buxhet për ta reklamuar.

Ekzistojnë shumë mundësi për reklamim, si online ashtu edhe offline, për shembull reklamat pay-per-click, të cilat faturohen në bazë të klikimeve, reklama në formë banner, broshura, reklama në radio ose televizion, etj. Kostot e reklamave varen nga lloji dhe volumi i tyre.

Kosto e të bërit vetë

Shumë nga shërbimet e përmendura më lart mund të arrini t'i bëni vetë, dhe mund të mendoni që kështu do të kurseni shpenzime, nëse për shembull e krijoni vetë brandimin, shkruani vetë përmbajtjen, ose e mirëmbani vetë faqen.

Megjithatë, ka një rrezik të dyfishtë kur e bëni këtë! Nëse nuk keni përvojë pune në këto fusha, me shumë gjasë nuk do të bëni një punë të mirë, duke krijuar kështu imazh të keq për kompaninë tuaj.

Për më tepër, nëse prishni diçka aksidentalisht, do të keni një kosto të shtuar për të rregulluar problemet që krijuat.

Përmbledhje

Çdo faqe interneti, pavarësisht përmasave të saj, përbën një sistem të ndërlikuar. Në mënyrë që ajo të jetë e suksesshme dhe një aset për biznesin tuaj, do t'ju duhet që të investoni në një sërë shërbimesh profesionale, si gjatë zhvillimit të saj, ashtu edhe pasi të publikohet.

Është e këshillueshme që të merrni parasysh të gjitha këto kosto kur planifikoni një faqe të re, me qëllim që të jeni të përgatitur paraprakisht për funksionimin e saj afatgjatë.

Regjistrohuni në newsletter

Do të merrni shkrime me interes për bizneset online dhe faqet e internet-it.

Zarf me mesazhin që dërgohet