Si të keni një faqe web-i të arritshme
Çfarë do të thotë 'faqe interneti e arritshme'?
Faqet e internetit në thelb janë ndërtuar për të punuar për të gjithë njerëzit pavarësisht nga pajijsja, gjuha, softueri apo vendodhja. Por, në shumë raste ato nuk janë të arritshme për njerëzit të cilët kanë aftësi të ndryshme të dëgjimit, lëvizjes, shikimit dhe aftësive njohëse.
Kur faqet e internetit, aplikacionet, teknologjitë ose mjetet e tyre janë të ndërtuara keq, ato mund të krijojnë vështirësi gjatë përdorimit duke përjashtuar njerëzit me aftësi ndryshe.
Të paturit një faqe interneti të arritshme është e rëndësishme për të gjitha kompanitë që ekzistojnë online, që nuk duan të përjashtojnë askënd nga përdorimi i produkteve dhe shërbimeve të tyre. Kur një faqe interneti e ka përmbushur këtë qëllim, ai është i arritshëm për të gjithë.
Përse faqja juaj e internetit duhet të jetë e arritshme për të gjithë?
Aplikacionet dhe faqet web janë një burim i rëndësishëm informacioni në jetën e përditshme të gjithësecilit prej nesh prandaj, të paturit faqe interneti të arritshme përcaktohet si një e drejtë themelore e njeriut.
Një faqe e tillë ju ndihmon të përmirësoni brand-in dhe eksperiencën e vizitorëve në faqen tuaj, të keni një reputacion të mirë në tregun ku veproni dhe të rrisni të ardhurat tuaja.
Prandaj, është thelbësore që ato të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit me aftësi të ndryshme.
Kujt i shërben një website i arritshëm?
Një faqe interneti e arritshme duhet të jetë e tillë për njerëzit me aftësi të kufizuara si:
- Personat të cilët kanë vështirësi në shikim, dëgjim dhe lëvizje.
- Personat që kanë 'paaftësive të përkohshme' që janë pasojë e faktorëve të jashtëm (Dëmtim i gjymtyrëve, kanë kryer operacione, gjenden në mjedise kufizuese etij.)
- Personat të cilët nuk janë njohës të mirë të teknologjisë dhe kanë vështirësi në përdorimin e tyre.
- Personat të cilët kanë një linjë interneti të dobët.
Si mund ta bëni faqen tuaj të arritshme për të gjithë?
Disa aspekte të një faqeje interneti të arritshme janë të lehta për t'u kuptuar dhe zbatuar, ndërsa disa të tjera kërkojnë njohuri më të thella. Kur ndërtoni një faqe të arritshme ju duhet të:
Siguroni që faqja juaj të përdoret lehtësisht nga keyboard-i
Që një faqe interneti të jetë e arritshme, ajo duhet të funksionojë pa përdorimin e mouse-it. Kjo sepse, shumë teknologji bazohen në ndërveprimin me keyboard që e bën lundrimin në faqe më të lehtë. Këtu përfshihen të gjitha ndërfaqet, përmbajtjet, link-et etj. Mënyra më e zakonshme për të lundruar në keyboard është përmes butonit 'Tab'.
Vendosni titra për audiot/videot e integruara
Titrat ofrojnë përmbajtje në kohë reale për përdoruesit që nuk kanë mundësi të dëgjojnë audion apo të shohin videon. Pavarësisht kufizimeve të tyre, këta persona do të kenë mundësi të kuptojnë përmbajtjen dhe të informohen mbi atë çfarë po u paraqisni. Ka disa titra të cilat mund ndizen dhe të fiken sipas dëshirës apo nevojës së përdoruesit dhe duhet të qëndrojnë brenda audios apo videos.
Përdorni tekst alternativ (Alt text) për imazhet
Tekstet alternative ndihmojnë në kuptimin e imazheve kur ato nuk shfaqen në faqe, kur individi është i verbër apo ka vështirësi në shikim. Një efekt pozitiv i 'Alt text' është që përmirëson SEO-n e faqes suaj duke i shtuar më shumë informacion.
Siguroni që elementët e klikueshëm të kenë madhësinë e duhur
Rritja e madhësisë së elementeve në faqe mund të ndihmojë njerëzit me vështirësi motorike dhe vizuale. Nëse teksti nuk është i qartë dhe gërmat janë të vogla, mund t'jua bëjë më të vështirë përdoruesve lundrimin në faqe. Sigurohuni që faqja juaj të jetë e përshtatshme për të gjithë, edhe kur pjesë të tij kanë madhësi të ndryshme.
Siguroni që faqja të ketë kontrastin e duhur mes teksit, imazheve dhe ngjyrave
Persona të shumtë dhe në veçanti ata të cilët kanë vështirësi me dallimin e ngjyrave mund të mos kenë një eksperiencë të mirë në një faqe ku ka pak ose aspak kontrast mes ngjyrave, teksteve e imazheve. Një detaj themelor është të siguroheni që teksti të jetë i dallueshëm nga sfondi apo butonat dhe ngjyrat të jenë të zgjedhura me kujdes.
Testoni faqen tuaj sipas mënyrës së përdorimit nga audienca
Një faqe interneti e arritshme në pajisjet të ndryshme siguron që të gjithë ata që përdorin një të tillë të kenë qasje të barabartë në përmbajtje. Testimi i faqeve të internetit mund të bëhet për:
- Pajisjet celulare
- Tabletat
- Funksionalitetet e faqes
- Performancën
- Ndërfaqet etj
Përfundime
Të gjitha kompanitë që ekzistojnë online duhet të kenë një faqe të arritshme interneti për të mos përjashtuar ata persona të cilët kanë vështirësi fizike si shikimi, dëgjimi, lëvizjet dhe aftësitë njohëse. Gjithashtu, nuk duhen përjashtuar as ata persona të cilët kanë kufizime të momentit.
Një faqe e arritshme ka përfitime të shumta, si për këta përdorues ashtu edhe për kompaninë, pasi fal saj mund të rriten të ardhurat dhe reputacioni juaj në tregun ku veproni por edhe të përmirësoni brand-in tuaj.